HomeAlbaniaTiranë, 5 shkurt – Deklaratë për shtyp e Ministres për Evropën dhe...

Tiranë, 5 shkurt – Deklaratë për shtyp e Ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, me Ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani

Deklaratë për shtyp e Ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka

Mirëdita të gjithëve!

Unë dua t’i shpreh edhe njëherë mirëseardhjen kolegut tim, Ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, z. Bujar Osmani.

Siç e dini, kjo është vizita e parë e një Ministri të Jashtëm që nga momenti që mora detyrën dhe jam e lumtur që pata nderin të mirëpres kolegun Osmani. Kjo jo vetëm për faktin që marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut janë vërtet të shkëlqyera, por edhe për faktin që ka diçka speciale kur mund të bisedosh në shqip me një homologun tënd.

Patëm vërtet një bisedë të shkëlqyer dhe konstruktive. Në fakt, temat që ndajmë me Maqedoninë e Veriut janë aq të shumta, sa nuk mjafton një bisedë apo një vizitë si kjo për t’i prekur të tëra. Por jam e sigurt që me z. Osmani do të vazhdojmë atë traditë shumë të suksesshme komunikimi e bashkëpunimi, që është konsoliduar tashmë prej vitesh mes vendeve tona.

Marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut janë realisht një nga shtyllat e stabilitetit, sigurisë dhe zhvillimit në rajonin tonë. Ne ndajmë të njëjtën bindje, që bashkëpunimi dypalësh mund dhe duhet të zgjerohet më tej, qoftë në diplomaci, qoftë në shkëmbime, qoftë në fusha si ndërlidhja midis vendeve tona, infrastruktura, energjia, shkëmbimet tregtare, turizmi, arsimi, kultura etj, sepse nga kjo do të përfitojnë jo vetëm vendet tona, por edhe mbarë rajoni.

Kjo vizitë vjen në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Një moment me shumë sfida e vështirësi, por edhe një moment shprese e guximi për të parë përpara.

Vendet tona po përballen, prej thuajse një viti me pandeminë COVID-19, me pasojat e kësaj pandemie, jo vetëm tek shëndeti i popujve tanë, por edhe tek sistemet shëndetësore dhe ekonomitë tona. Situata me të cilën jemi përballur që prej Marsit 2020, ka qenë vërtet e vështirë për të gjithë ne e për të gjithë botën në fakt. Por pikërisht në kohë si kjo, kemi nevojë më shumë se kurrë për bashkëpunim e solidaritet, sidomos mes vendesh si tonat, që ka aq shumë gjëra që i lidhin.

Por, krahas kësaj krize mbarë botërore që na ka prekur edhe ne, 2021 në fakt është edhe një moment shprese, sepse si Shqipëria, ashtu edhe Maqedonia e Veriut, presin të hedhin një hap të rëndësishëm përpara në procesin e integrimit evropian.

Dhe dua të përfitoj nga ky rast, për të theksuar edhe njëherë disa fakte, për të cilat besoj që kam edhe dakordësinë e kolegut Osmani.

Së pari, të dyja vendet tona, siç e ka konfirmuar edhe vetë Këshilli në Mars 2020, i kanë plotësuar kushtet për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare. Dhe të dyja vendet tona kanë bërë shumë punë për të plotësuar kushtet. Në këtë pikë, dua në fakt të vlerësoj maksimalisht vendosmërinë dhe punën e Kryeministrit Zaev, të qeverisë së tij, të koalicionit qeverisës dhe të faktorit shqiptar, për të çuar përpara integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut.

Gjithkush që e njeh rajonin tonë, besoj e kupton që arsyeja përse qoftë në Shqipëri, qoftë në Maqedoninë e Veriut, ka qenë e mundur që të hidhen hapa kaq të guximshme përpara, është sepse ne – pjesa dërrmuese e popullsive tona – besojmë tek perspektiva evropiane. Do të ishte për të ardhur keq, në qoftë se kjo punë kaq e madhe e ky besim kaq i madh do të zhgënjeheshin sërish, për shkak të konsideratave subjektive, politike të vendeve anëtare, në një moment që vlerësimi objektiv, teknik nga ana e Këshillit dhe vendimi i tij në mars 2020 ka qenë pozitiv.

Së dyti, stabiliteti, siguria dhe zhvillimi i rajonit tonë janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme me perspektivën evropiane. Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO ishte një arritje e shkëlqyer, që e ka bërë rajonin tonë shumë më të sigurt. Anëtarësimi në BE i mbarë rajonit, është garancia e zhvillimit të rajonit, por jo vetëm kaq, është edhe një kontribut i madh për sigurinë e vetë BE.

Dhe këtu – e lashë për në fund sepse dua t’i jap peshën që i takon dhe vlerësimin tim maksimal – ka luajtur e luan një rol të jashtëzakonshëm faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut, që jo vetëm ka dhënë e jep një kontribut jetik në qeverisjen e vendit, jo vetëm ka luajtur një rol vendimtar në proceset euroatlantike, por është në fakt edhe një urë e fortë lidhëse, miqësie e bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Shqipëria e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë fuqimisht faktorin shqiptar në Maqedoninë e Veriut, angazhimin konstruktiv të partive politike shqiptare, por edhe progresin e mëtejshëm në çështje me rëndësi themelore, siç është nevoja për zbatimin praktik të MKO-së e Ligjit të Gjuhëve, si gurthemeli i arritjes së barazisë së plotë mes popullit maqedonas dhe atij shqiptar, si dy komunitete shtetformuese.

Unë nuk po zgjatem më tej, por dua ta falënderoj kolegun Osmani, t’i uroj atij shumë suksese në punën e tij, ta garantoj për dëshirën time dhe të qeverisë shqiptare për të forcuar edhe më shumë marrëdhëniet mes vendeve tona dhe pa humbur kohë t’i kaloj fjalën.

Deklaratë për shtyp e Ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani

Faleminderit shumë!

Të nderuar të pranishëm! E dashur Olta!

Më lejoni të filloj fillimisht duke falënderuar kolegen time Olta Xhaçka, vërtetë më paraqet nder të jem sot këtu disa ditë pas marrjes së detyrës nga ana juaj, është vizita ime e parë në Shqipëri si Ministër i Jashtëm, dhe një mundësi e mirë që publikisht dhe personalisht fillimisht ta përgëzoj kolegen Xhaçka për besimin që i është dhënë dhe ti uroj sukses në menaxhimin e sfidave në këtë̈ detyrë të përgjegjshme.

Ne të dy jemi udhëheqës të rinj të diplomacive të vendeve tona dhe besoj se kemi bashkëpunim dhe konstatuam sot gatishmëri për bashkëpunim të hapur, për mbështetje të ndërsjellë, për të arrirë të gjitha qëllimet që janë me interes të përbashkët të dy vendeve tona. I tillë është bashkëpunimi ynë brenda aleancës euro-atlantike. Dëshiroj t’ju kujtoj se kemi pasur mbështetje të sinqertë, të thellë dhe të qartë nga Republika e Shqipërisë gjatë periudhës së anëtarësimit tonë në NATO; për çka sot i shpreha mirënjohje të veçantë koleges sime. Sot si anëtarë të NATO-s, si aspirim i të dy vendeve vazhdon të jetë edhe anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian, një proces për të cilin jemi dakord se nuk ka alternativë.

Është e padiskutueshme që marrëdhëniet midis dy vendeve tona, prej kohësh e kanë kaluar pragun e fqinjësisë së mirë dhe ata janë bazë e themeleve të miqësisë stabile dhe afatgjatë. Besoj se kjo miqësi e jona është përtej interesave vetëm të dy vendeve tona dhe është një ndër shtyllat më të rëndësishme për stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e gjithë rajonit. Qëllimet dhe interesat për zhvillimin e bashkëpunimit rajonal janë të dy anshme. Jemi të vendosur në përpjekjet për përforcimin e tij dhe secili prej nesh jep kontribut në zhvillimin e fqinjësisë̈ së mirë midis të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Si fqinj të afërt jemi drejtpërdrejt të interesuar për suksesin e dialogut Prishtinë-Beograd të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili në një masë të madhe do të frymëzojë një forcë të re, një impuls të ri të besimit në rajon dhe do të hapë një hap serioz për një Ballkan më të sigurt dhe të qëndrueshëm. Kontributi ynë̈ në bashkëpunimin rajonal është i sinqertë, pa marrë parasysh nëse flitet për brenda procesit të Berlinit, apo bashkëpunim në kuadër të ashtuquajturit Mini-Shengen, apo të ndonjë iniciative tjetër të bashkëpunimit rajonal.  Në këtë drejtim pata nderin që t’ia prezantoj ministres nismën e re për bashkëpunim trepalësh që buron nga vendi ynë, e ashtu-quajtura iniciativa 8.

Është një iniciativë e mirë që duhet të rinovojë mbështetjen politike, për projektet e infrastrukturës përgjatë korridorit 8 evropian, duke lidhur kështu Lindjen me Perëndimin e Ballkanit nga Adriatiku në Detin e Zi. Të tre vendet, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Bullgaria në këtë iniciativë mund të gjejnë një forum të vlefshëm për promovimin e bashkëpunimit trepalësh, duke intensifikuar shkëmbimin e përgjithshëm politik, ekonomik, të sigurisë, atë kulturor dhe shoqëror që sigurisht do të rezultojë në përforcim të besimit mes qytetarëve tanë.

Temë e diskutimit ishte edhe projekti ynë i ri, —Forumi i Prespës për Dialog— si një platformë e ardhshme për promovimin e mundësive dhe përfitimeve nga dialogu, promovimin e procesit të pajtimit, promovimin e multi-kulturalizmit në rajon, si një sfidë e rëndësishme për të gjitha vendet e Ballkanit, por gjithashtu një platformë për kontributin tonë të përbashkët në multilateralizmin, si një përfitim i vërtetë civilizues dhe i politikës bashkëkohore.

Më lejoni të shpreh kënaqësinë time të veçantë që sot do të nënshkruajmë edhe marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e diasporës, një sukses i dy qeverive për çka dua të shpreh mirënjohjen time në këtë drejtim. Në kuadër të bashkëpunimit dypalësh, u përsërit interesi për mbajtjen e mbledhjes së dytë të përbashkët qeveritare, që do të jetë një mundësi për nënshkrimin e marrëveshjeve të reja bilaterale dhe pasurimin e mëtejshëm të përbashkët.

Ramë dakord se do të intensifikojmë bashkëpunimin në të gjitha nivelet, në mënyrë që të sigurojmë stimuj shtesë për zbatimin e projekteve në infrastrukturë, energji, turizëm dhe fusha të tjera të rëndësishme për shtetasit tanë. I tillë është bashkëpunimi në fushën e kulturës për çka në takimin e sotëm shprehëm kënaqësinë e ndërsjellë për hapjen e qendrës Kulturore dhe Informative të Maqedonisë së Veriut në Tiranë, e cila do të kontribuojë në njohjen më të afërt të qytetarëve në fushën e kulturës.

Të gjitha këto konstatime flasin më vete se kjo vizitë është jashtëzakonisht e suksesshme, për çka më lejoni edhe një herë në fund të falenderoj kolegen time Olta Xhaçka. Faleminderit shumë!

Source

Stay Connected
255FansLike
473FollowersFollow
Must Read
Related News