HomeAlbaniaMARRËDHËNIET SHQIPËRI – BE

MARRËDHËNIET SHQIPËRI – BE

MARRËDHËNIET SHQIPËRI – BE

Marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Komunitetit Ekonomik Evropian u vendosën në qershor 1991. Në maj 1992 u nënshkrua Marrëveshja e Tregtisë dhe Bashkëpunimit Ekonomik, e cila u shoqërua edhe nga nënshkrimi i Deklaratës së Përbashkët Politike Shqipëri – Komuniteti Evropian. Shqipëria ishte vendi i parë në rajon që nënshkroi një marrëveshje të tillë.

Samiti i Zagrebit i Nëntorit 2000, lançoi Procesin e Stabilizim-Asociimit për 5 vendet e Evropës Juglindore, duke përfshirë dhe Shqipërinë. Negociatat me Shqipërinë për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit u hapën zyrtarisht në vitin 2003.

Në samitin e Selanikut të qershorit 2003, BE konfirmoi zyrtarisht perspektivën e anëtarësimit në BE për të gjithë vendet pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizim –Asociimit.

Një element kryesor i këtij procesi është Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, e cila u nënshkrua në 12 qershor 2006.

Hyrja në fuqi e kësaj Marrëveshjeje më 1 prill 2009, shënon një fazë të re më të avancuar të marrëdhënieve të Shqipërisë me BE-në, të konceptuar si një marrëdhënie kontraktuale me detyrime dhe të drejta reciproke ndërmjet palëve. Kjo Marrëveshje zëvendësoi Marrëveshjen e përkohshme që ishte në fuqi për palët që nga dhjetori 2006 dhe synon një qasje graduale politike, ekonomike dhe shoqërore të Shqipërisë me BE-në.

Më 28 prill 2009, Shqipëria paraqiti në Këshillin e BE-së kërkesën për anëtarësim. Më 16 nëntor 2009, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme dhe i Marrëdhënieve me Jashtë, i kërkoi Komisionit të përgatisë Opinionin për Shqipërinë. Më 16 dhjetor 2009, u dorëzua Pyetësori nga Komisioni Evropian. Në bazë të përgjigjeve të Pyetësorit të plotësuar nga pala shqiptare, në 10.11.2010 u publikua Opinioni i Komisionit Evropian për kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim, në të cilin u identifikuan 12 prioritete kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE.

Në Raport Progresin e vitit 2012, Komisioni rekomandoi që Këshilli duhet t`i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, në varësi të përmbushjes së masave kyçe në fushën e drejtësisë dhe reformës së administratës publike, si dhe përfundimin e rishikimit të procedurave të rregullores parlamentare.

Në datën 16 tetor 2013, u prezantua dhe Raport Progresi i fundit për Shqipërinë, si pjesë e Strategjisë së Zgjerimit 2013-2014. Në kuadër të progresit të bërë, Komisioni rekomandoi që Këshilli duhet t`i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, me mirëkuptimin që vendi do të vazhdojë të veprojë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gjithashtu, Komisioni përcaktoi 5 prioritete kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Konkretisht: reforma në administratën publike; forcimi pavarësisë, eficiencës dhe llogaridhënies së gjyqësorit; lufta kundër korrupsionit; lufta kundër krimit të organizuar; mbrojtja e të drejtave të njeriut, përfshirë Romët dhe politikat anti-diskriminim; si dhe respektimi i së drejtës së pronës.

Në datën 11 Nëntor 2013, u lançua dhe Dialogu i Nivelit të Lartë për Prioritetet Kyçe, Shqipëri-Komisioni Evropian, ku marrin pjesë Qeveria, Institucionet e pavarura si dhe Opozita. Platforma e Dialogut të Nivelit të Lartë (HLD), përbën një element shumë të rëndësishëm për të siguruar një proces gjithëpërfshirës dhe për të fokusuar energjitë tek reformat e nevojshme për avancimin e agjendës evropiane të Shqipërisë.

Dialogu Politik BE- Shqipëri

Dialogu politik BE-Shqipëri shoqëron dhe konsolidon marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë dhe kontribuon në vendosjen e lidhjeve të ngushta të solidaritetit dhe formave të reja të bashkëpunimit ndërmjet palëve.

Me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), dialogu politik Shqipëri-BE zhvillohet në formatin e Këshillit të Stabilizim-Asociimit (KSA) dhe strukturave të tjera të përbashkëta. Këshilli i Stabilizim-Asociimit mblidhet një herë në vit për të bërë një vlerësim të përgjithshëm të zbatimit të MSA-së dhe shqyrton çdo çështje të rëndësishme që del në kuadër të zbatimit të saj.

Gjithashtu, edhe në nivel parlamentar, dialogu politik ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së zhvillohet brenda kuadrit të MSA-së, e cila parashikon ngritjen e Komitetit Ndër-parlamentar të Stabilizim-Asociimit me anëtarë të Parlamentit Evropian dhe të Kuvendit të Shqipërisë.

Procesi i liberalizimit të vizave

Në mars 2008, u lançua dialogu për Liberalizimin e Vizave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Udhërrëfyesi për Shqipërinë u dorëzua zyrtarisht në qershor 2008, për të vijuar me procesin e përmbushjes së kritereve të përcaktuara në këtë dokument nga vendi ynë.

Në bazë të plotësimit të kritereve të Udhërrëfyesit, në 15 shtator 2010, Komisioni Evropian hartoi një vlerësim pozitiv për Shqipërinë, për Parlamentin Evropian dhe vendet anëtare të BE. Ky vlerësim i hapi rrugën vendim-marrjes për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë drejt hapësirës “Schengen”. Këshilli i Çështjeve të Brendshme të BE miratoi unanimisht propozimin e Komisionit dhe në datë 15 dhjetor 2010, hyri në fuqi regjimi i pa viza i lëvizjes së qytetarëve shqiptarë drejt hapësirës “Schengen”.

Source

Stay Connected
255FansLike
473FollowersFollow
Must Read
Related News